Agjerimi

Vehbija Hoxhiq
AGJERIMI - 0BLIGIM I DOMOSDOSHEM


            Përcaktimi i tretë themelor, praktik fetar është urdhëri për agjërimin e muajit Ramazan. Edhe ky është njëri ndër ato kushte që njeriun e bën musliman. Pra, agjërimi është një ndër pesë kushtet Islame, kusht ose themel i ndërtesës së dukshme Islame. Ky obligim është përcaktuar më 10 Shaban të vitit të dytë sipas Hixhrit, me ajetet Kur'anore:       


            "O ju që besuat, agjërimi u është bërë obligim sikurse është obligim edhe i atyre që ishin para juve, kështu që të bëheni të devotshëm. (Jeni të obliguar) disa ditë të caktuara, e kush është i sëmurë prej jush ose është në udhëtim (e nuk agjëroi), atëherë ai (le tëagjërojë) më vonë aq ditë. E ata që i rëndon ai (nuk mund të agjërojnë), janë të obliguar për kompenzim me ushqim (ditor) për një të varfër, e ai që nga vullneti jep më tepër, ajo është më mirë për të. Mirëpo, po qe se e dini, agjërimi është më mirë për ju." 


            (Ato ditë të numëruara janë) muaji i Ramazanit, që në të filloi të shpallet Kur'ani, që është udhërrëfyes për njerëz, sqarues i rrugës së drejtë dhe dallues (i të vërtetës nga mashtrimet). E kush është i sëmurë ose në udhëtim, le të agjërojë aq ditë nga ditët e mëvonshme. All-llahu me këtë dëshiron lehtësim për ju, e nuk dëshiron vështirësim (mendohet për kompensimin e ditëve të lëshuara), që të plotësoni numrin, të madhëroni dhe falenderoni All-llahun për atë që u udhëzoi në rrugë të drejtë.    


            E kur robët e Mi të pyesin ty për Mua, Unë jam afër, i përgjigjem lutjes kur lutësi më lutet, pra për të qenë ata drejt të udhëzuar, le të më përgjigjen ata Mua dhe le të më besojnë Mua. Natën e agjërimit u është lejuar afrimi te gratë tuaja, ato janë prehje për ju, ju jeni prehje për ato. All-llahu e di se ju e keni mashtruar vetveten, andaj u'a pranoi pendimin tuaj dhe ua fali gabimin. Tani e tutje bashkohuni me to dhe kërkoni atë që ua ka caktuar All-llahu dhe hani e pini derisa qartë të dallohet peri i bardhë nga peri i zi në agim, e pastaj plotësone agjërimin deri në mbrëmje. E kur jeni të izoluar (në i'tikaf) në xhamia, mos u afroni atyre (për marrëdhënie intime). Këto janë dispozitat e All-llahut, pra mos i kundër-shtoni. Ja kështu, në këtë mënyrë All-llahu ua sqaron njerëzve argumentet e veta që ata të ruhen." (El Bekare: 183-187)


HISTORIATI


             Siç shihet nga ajeti i parë, agjërimi i qe urdhëruar  edhe popujve të tjerë antikë para pejgamberllëkut të Muhammedit a.s. nga të cilët disa janë zhdukur e disa edhe sot ekzistojnë, siç janë: kinezët, persianët, indianët, babilonasit, egjiptasit e vjetër, romakët etj. Kjo është vertetuar nga historia e shkrimeve fetare dhe profane.            
            Sipas ligjit fetar të indianëve "MANU", p.sh., agjërimi konsiderohet si obligim kryesor fetar, të cilin brahmanët rreptësisht e respektojnë dhe e praktikojnë pa marrë parasysh sëmundjet, pleqërinë, etj.    
            Te beduinët, agjërimi është gjithashtu i rreptë. Ata shpeshherë nga 24 orë s'kanë të drejtë asgjë të shijojnë. Disa popuj jo vetëm që e linin ushqimin dhe pijen, por ata veten e mundonin në mënyra të ndryshme, me frishkullimë, duke u shtrirë me trup të zhveshur në rërë të nxehtë etj., duke i konsideruar agjërimin dhe asketizmin si vepra të dashura te Zoti. 
            Me veprime të tilla ata donin t'a zbusnin hidhërimin e Zotit dhe ta përfitojnë mëshirën dhe dashamirësinë e Tij.     
            Agjërimi qe përcaktuar edhe te religjionet e tjera "hyjnore".Kështu edhe në Ungjill  (Mateu 6:6-17 dhe Lluka 5:30-32), flitet për agjërimin.
            Parimet e agjërimit në Dhjatën e Vjetër janë të paqarta, por dihet se Musai a.s. ka agjëruar nga 40 ditë.   
            Fakti se agjërimi si parim fetar gjendet edhe te mosbesimtarët, gjegjësisht, te popujt politeistë, dëshmon në atë se edhe atyre u kanë zbritur pejgamberë me përcaktime të ngjashme që u shpallën me anë të Kur'anit. Ajeti i sipërpër-mendur, njëkohësisht është edhe një muxhize e Muhammedit a.s. (argument i vërtetësisë së pejgam-berllëkut), sepse ai me siguri nuk do të dinte se kanë agjëruar edhe popujt tjerë të mëparshëm, ose a u është urdhëruar agjërimi si dispozitë fetare. Derisa disa popuj, siç vërejtëm, agjërimin e kuptonin si asketizëm, duke mos shijuar asgjë gjatë një kohe të gjatë (brahmanët, budistët), të tjerët hanin normalisht, me përjashtim të mishit dhe të yndyrërave të shtazëve të ndryshme (të krishterët).    
            Agjërimi Islam nuk është as si njëra e as si tjetra. Mund të thuhet se agjërimi Islam është kombinim i të dyjave. Pra, është ai një mes i artë.[5] 
            E tani të shohim çka është agjërimi Islam?
        Agjërimi Islam është obligim fetar për çdo musliman e muslimane të mençur dhe të moshës madhore, dmth, të përmbajturit nga ngrënia, pirja, marrëdhëniet intime, pirja e duhanit dhe veprave të ngjashme që e prishin agjërimin edhe atë prej agimit deri në perëndim të diellit, padyshim duke e bërë nijet që kjo të kryhet në emër të Zotit xh.sh.   
            Agjërimi Islam, sikur edhe ibadetet tjera, mundet të jetë:  


            a)- obligim i domosdoshëm (farz), dhe


            b)- porosi për bamirësi (sevap) - akt vullnetar dhe shenjë e besimit të drejtë (nafile).     


            a). Agjërimin si obligim të domosdoshëm fetar (farz) nëse e mohon, nëse e nënëçmon apo e përqesh, bën "kufër". Ta shohim këtu agjërimin vetëm si obligim të domosdoshëm fetar.


            Nga definicioni i sipërpërmendur dalin këto elemente të parimeve të agjërimit: 


            NIJJETI: (qëllimi) se do të agjërohet dita e nesërme në emër të Zotit, është vendim i zemrës. Kjo do të thotë se nuk është domosdo që nijeti  të shqiptohet me gojë.


            Përndryshe, nijeti bëhet kështu: 


            "Vendosa, që në emër të All-llahut t'a agjëroj ditën e nesërme të Ramazanit".


            Të ngriturit në syfir me qëllim të agjërimit  të ditës së nesërme, njëkohësisht është edhe nijjet. Ky vendim është i nevojshëm për çdo ditë dhe shqiptohet zakonisht pas ngrënies së syfirit e deri në një orë para namazit të drekës, në rast se harrohet të bëhet në syfir, por me kusht që të mos ketë bërë asgjë që e prish agjërimin. Ndërkaq, nijet për agjërimin plotësues të ditëve të lëshuara bëhet vetëm natën.


            - Agjërimin e prish:     


            a).- gjithçka që njeriu përbin duke qenë i vetëdijshëm se agjëron,           


            b).- shfrytëzimi i klizmës, derdhja e ndonjë lëngu të yndyrshëm në vesh ose ndonjë bari për hundë,      


            c).- vjellja me plotë gojë,     


            d).- nëse gjatë pirjes së duhanit nga të pranishmit, me qëllim e tërheq tymin, etj., - të gjitha këto më detajisht janë të sqaruara në fikh.


PLOTESIMI (KAZA) OSE KEFARETET E AGJERIMIT


            Në të gjitha rastet kur agjërimi prishet pa dashje, duhet më vonë (pas Ramazanit) të agjërohet ditë për ditë, - pra duhet të bëhet agjërimi i ditëve të lëshuara. Ndërsa, prishja e agjërimit me vetëdije, ose "kefaret" detyron në agjërimin "kaza", pra përpos ditës së lëshuar duhen të agjërohen edhe 60 ditë pa ndërprerë. E nëse nuk mundet të agjërohen 60 ditët, atëherë duhet të ushqehen 60 varfanjakë ose një i varfër 60 ditë, duke i dhënë nga dy racione (drekën dhe darkën). Në vend të racioneve të gatshme, mund të jepet edhe ushqim plotësues ose në të holla aq sa vlen sadakatul fitri. Me prishje të vetëdijshme nënkuptohet kur vetëdijshëm dhe pa kurrëfarë shkaku prishet agjërimi. Për agjërimin e prishur nën presion ose frikë, lipset agjëruar ditë për ditë, por me kusht që pasi të kalojë presioni ose frika, pra kur të vetëdijesohet për ta ndërprerë veprimin që e prish agjërimin.


            Nëse njeriu vepron atë që e prish agjërimin, duke harruar se agjëron, agjërimi s'do t'i prishet.Por, është i obliguar që sapo ti kujtohet se agjëron, t'a ndërpresë veprimin e tillë. Ky është parim i përgjithshëm. Më detajisht këtë e shqyrton "fikhul-ibadat".


KUSH NUK E KA TE DOMOSDOSHEM AGJERIMIN?


            a).- i sëmuri i cili frikësohet se do t'i keqësohet edhe më tepër shëndeti ose frikohet se do t'i vazhdojë kohëzgjatja e shërimit në bazë të konstatimit të mjekëve.         


            b).- udhëtari që merr rrugë të gjatë, 18 orë ecje, pa marrë parasysh me çfarë mjeti transportues udhëton. Mirëpo, nëse konstaton se agjërimi nuk e dëmton atëherë më mirë e ka të agjërojë.          


            c).- mëndesha ose shtatzëna nëse frikohet për veten dhe fëmijën e vet. 


            d).- ushtarët, punëtorët, bujqit, nëse u janë të ekspozuar kushteve të rënda të punës apo atyre kohore.


            Individët e lartpërmendur (a-c) janë të obliguar që t'i agjërojnë ditët e lëshuara menjëherë pasi t'ju mundësojnë kushtet.        


            e).- pleqtë të cilët janë të pafuqishëm, aq sa agjërimi do t'u dëmtonte, janë të liruar nga agjërimi, me kusht që nëse janë të pasur, për çdo ditë të japin (shpërndajnë) nga një "fidje" - vlera e sadakatul fitrit. 


            S'ka të drejtë të agjërojë gruaja gjatë menstruacioneve të rregullta (hajz) ose lehonisë (nifas). Mirëpo, këto gra nuk kanë të drejtë të hanë e të pijnë haptazi. E kur t'u kalojnë pengesat e cekura do t'i agjërojnë ditët e lëshuara.    


            Këto janë dispozitat më me rëndësi rreth agjërimit, më detajisht janë të sqaruara në "fikhul-ibadat".


AGJERIMI SI IBADET


            Agjërimi sikur edhe namazi, numërohet ndër veprat më të mëdha të devcionit. Ai është një nga pesë themelet kryesore ose shtyllat e Fesë Islame. Përpos hadithit të cituar në fillim, kjo nënkuptohet edhe nga ky hadithi-sherif:               "Agjërimi është gjysma e durimit, e durimi është gjysma e imanit-besimit".  


            Për durimin All-llahu jep shpërblime të pamasëshme, sikur që qëndron në Kur'anin Famëlartë.(2:45, 153, 155); (103:3).           


            Agjërimi i shikuar nga ky këndvështrim është një akt hyjnor më me rëndësi se shumë ibadete tjera. Kjo sepse agjërimi është pa dyshim legjitimacion i besimit të sinqertë.  Të gjitha obligimet tjera fetare: - namazi, zeqati, haxhxhi, etj., pak a shumë mund të kryhen edhe nga shkaqe apo motivacione tjera, madje edhe nga munafikllëku. Veç se agjërimi është shenjë e besimit të sinqertë, veç se në agjërim s'ka mashtrime.  


            "Në agjërim s'ka dyfytyrshmëri". (Hadith)    Prandaj Zoti xh.sh. për agjërimin premton shpërblim të posaçëm sipas fjalëve të Muhammedit a.s. (në një hadith-kudsi):


            "Veçse agjërimi është ai ibadet (akt devocioni) ku nuk mundet me pasë dyfytyrshmëri".


            Zoti xh.sh. thotë:


            "Agjërimi është për Mua dhe Unë do të jap shpërblime të posaçme për të, sepse njeriu e lë ngrënien dhe pirjen për Mua".


            Për agjërimin  si ibadet më i sinqertë, Muhammedi a.s. shpeshherë thekson: 


            "Punë më e mirë (bamirësi, ibadet) është agjërimi.";


            "Zoti xh.sh. ua urdhëroi agjërimin si obligim (farz), ndërsa unë ua përcaktoj namazin e teravisë si namaz  të posaçëm gjatë Ramazanit, andaj  kush agjëron dhe namazin e teravisë sinqerisht e kryen, duke besuar dhe duke u përkujdesur për të si obligim ndaj Zotit, do t'i falen mëkatet që i ka bërë deri atëherë."


            Sikur që shihet nga ky hadith, agjërimi i muajit Ramazan, i stolisur me ibadete të tjera: namazin e rregullt, namazin e teravisë, lëmoshat e përcaktuara dhe të papërcak-tuara si dhe veprat tjera me pendi të sinqertë, muslimanit i sjell falje të mëkateve të vogla. Kjo dëshmohet në shumë hadithi-sherif; si p.sh.:  


            "Prej xhumasë e në xhuma dhe prej Ramazanit në Ramazan falen mëkatet, të cilat njeriu i bën në ndërkohë, përveç mëkateve të mëdha."    


            Dhe vërtet, muslimani i cili me besim të fortë në All-llahun dhe me respekt të lartë ndaj Tij (e jo nga shprehia dhe dyftyrësia) rregullisht e kryen pesëkohëshin, namazin e xhumasë, agjëron muajin Ramazan etj., nuk mund të bëjë vepra të shëmtuara. Kësisoji, muslimani nuk do dhe nuk mund të bëjë mëkate të mëdha dhe të rënda. Njeriut të tillë, namazi dhe agjërimi vërtet do t'i jenë falje mëkatesh të cilat mund t'i bëjë njeriu, madje edhe besimtari i mirë. Njeriu i tillë do të shijojë gëzime të llojllojshme në këtë botë, ndërsa në ahiret mëshirën dhe shpërblimet e All-llahut xh.sh, gjë që theksohet edhe në këtë hadithi-sherif:  


            "Atë që agjëron e presin dy çaste të gëzueshme: kur do të bëjë iftar dhe kur do të dalë para All-llahut xh.sh. në Ditën e Gjykimit." "Agjërimi dhe Kur'ani (nëse njeriu mëson dhe jeton prej tij) do të jenë dëshmi për robin e Zotit në Ditën e gjykimit."   


            "Në emër të Atij, në duart e të cilit gjendet jeta ime, era e gojës së atij që agjëron i është më e dashur All-llahut se parfumet (aromat e këndshme), ngase Zoti xh.sh., thotë: "i flaku njeriu për shkak meje epshet e tij, ushqimin dhe pijet.Ai agjëron prej dashurisë që ka ndaj meje dhe Unë do t'a shpërblej atë posaçërisht." 


            "?do gjë e ka derën e vet, e dera e ibadetit është agjërimi. Andaj ai që agjëron edhe kur fle bën ibadet."     


            Gjatë ditëve të Ramazanit mëshira e Zotit është e bollshme. Sepse ata që agjërojnë gjatë këtij muaji jo vetëm që përmbahen nga ushqimet dhe pijet, por edhe nga veprat tjera të fëlliqura e të shëmtuara. Dhe gjatë ditëve të Ramaza-nit agjëruesëve u zhvillohet ndjenja e dashamirësisë ndaj të tjerëve dhe ngushëllimi për të ngratit. Njeriu atëherë më tepër se çdoherë në zemër e mban dëshirën për bamirësi.


            Kjo ndjenjë e verteton atë që e përmban ky hadithi-sherif, i cili flet për atë se Zoti xh.sh. gjatë Ramazani sherifit urdhëron të mbyllen djajtë, që të mos e shtyjnë njeriun në mëkat dhe gabim:  


            "Kur arrin muaji i Ramazanit (agjërimit), hapen dyert e xhennetit, ndërsa mbyllen dyert e xhehnemit dhe shejtanët vihen në pranga (që të mos i shtyjnë njerëzit në mëkate)."       


            Agjërimi, pra, sikur që shohim është ibadet (akt devo-cioni) që mbahet vetëmse për hir të Zotit, dashamirësisë dhe mëshirës së Tij. Së bashku me namazin bëjnë që shpirti i njeriut të pastrohet nga mëkatet. Dhe besimtari t'i afrohet Zotit xh.sh..  


            Njeriu i cili agjëron sinqerisht për hir të Zotit xh.sh,  duke i flakur dëshirat dhe epshet për shkak të All-llahut dhe që i kryen përcaktimet e tjera të Zotit (namazin etj.), e arrin shkallën e melekëve siç thotë Muhammedi a.s.:  


            "Zoti mburret para ëngjëjve të vet, me djaloshin (të riun) e devotshëm dhe thotë: - Djalosh, ti që e flak epshin dhe rininë për shkak Meje (i flijon për Mua), ti je te unë si një melek i imi."   


            Ose:    


            "Zoti thotë: - shikoni o melekt e mi, robin tim. E lë epshin e vet, ushqimin dhe pijet, për shkak Meje!"  


            Se sa rëndësi i jepte Muhammedi a.s. agjërimit si iba-det,  më së miri dëshmon ajo se ai agjëronte më tepër se sa që është përcaktuar me Kur'an (agjërimi i muajit Ramazan), sikur që edhe në namaz kalonte më shumë kohë se sa që është e përcaktuar. Kur shokët e tij donin të vepronin sipas shëm-bullit të tij, ai atë veprim ua ndalonte dhe u thoshte:    


            "Ju këtu nuk mund të bëheni si unë. Ngarkojeni veten vetëm aq sa mundeni të duroni."     


            Edhe Abdullahu, djali i prijësit të njohur ushtarak, Amër b.Asi, agjëronte më tepër se sa që është e përcaktuar me Kur'an. E kur e kuptoi Muhammedi a.s. e pyeti:   


            - A është e vertetë kjo që e dëgjoj për ty, se ti për çdo ditë agjëron, e netët i kalon në lutje (namaz)?    


            Abdullahu iu përgjigj me pohim.


            E Alejhisselami i tha: 


            - Mos vepro ashtu, por një ditë agjëro, tjetrën jo, një natë falu, tjetrën flej (pusho), sepse edhe trupi yt, edhe sytë e tu, edhe bashkëshortja jote, sikur edhe të afërmit tu, i kanë të drejtat e veta që duhet t'ua plotësosh (obligimet që ke ndaj tyre). (Buhariu)


            Edhe pejgamberët tjerë kanë agjëruar më tepër se sa që u është urdhëruar. Vepronin ashtu ngase ata agjërimin e konsideronin si një lloj ibadeti madhështor dhe lutje që i afron kah Zoti xh.sh., dhe mbi të gjitha ngase ky ishte një ibadet që i jepej shumë rëndësi. 


            Për domethënien e madhe të agjërimit Muhammedi a.s. porositi, në realitet urdhëroi, që kujdestari i të vdekurit i cili nuk arrin t'i agjërojë disa ditë të agjërimit, për të t'i riagjërojë ditët e lëshuara! "Kush vdes e ishte i obliguar të agjërojë, kujdestari le t'ia riagjërojë ditët e lëshuara"


DOMETHENIA E VERTETE DHE QELLIMI I AGJERIMIT


             Sikur edhe çdo ibadet tjetër, edhe agjërimi e ka anën e jashtme dhe anën e brendshme, domethënien dhe qëllimin. Edhe njëra edhe tjetra siç theksuam disa herë kanë shumë dobi dhe qëllime. Domethënia e vertetë e përcaktimeve të Zotit (urdhërave dhe ndalimeve) gjendet po në thelbin dhe qëllimin e tyre. Të gjitha ato caqe e udhëzojnë njeriun kah dobitë personale të kësaj bote dhe botës tjetër, por gjithashtu edhe kah krijimi i dobisë shoqërore. Asnjë lutje Zoti nuk e përcaktoi ngase i nevojitej Atij. Ai nuk ka nevojë për asgjë. Tani parashtrohet pyetja: - pse në burimet e Islamit, shumë përcaktime (posaçërisht ibadete) trajtohen si obligime ndaj Zotit? Ose konkretish, pse për agjërimin thuhet, sikur qëndron në hadithet e cituara, se Zoti xh.sh. e përcaktoi për Vete dhe se Ai për të do të shpërblejë pamasë?        


            Si përgjigjie të kësaj pyetje, mundena ta përmendim këtu sprovën ku njeriu bie, sakrificën që e prezenton. Madhësia e sakrificës personale që e jep njeriu në emër të Zotit dhe për dashurinë e Tij është peshojë e fesë (besimit) së tij.   


            Sa më e madhe të jetë sakrifica, aq më e fortë është feja e tij, më e sinqertë, më e thellë dhe më e padyshimtë. Në agjërim kërkohen sakrifica të mëdha dhe ato sakrifica besimtari i sinqertë i duron lehtë, ngase e di se në emër të kujt i bën. Andaj, agjërimi është një dëshmi e fortë dhe legjitimacion i besimit të sinqertë. Prandaj edhe është veçuar si ibadet për Zotin dhe për të cilin Zoti posaçërisht shpërblen. Nga ana tjetër të gjithë përcaktimet, të gjithë ibadetet, pak a shumë kanë karakter socialo-altruist. Fenë e këtillë, logjikisht, Zoti do ta shpërblejë porporcionalisht me sakrificën që e ofron besimtari për mirësinë e të tjerëve, për fatin e shoqërisë. Tanimë theksuam se agjërimi përmban shumë dobi prej të cilave disa do ti shqyrtojmë,  dobi këto që para së gjithash, varen nga ajo se si kuptohen dhe praktikohen nga ana e atij që agjëron. Pra, duhet ditur, ku na shpie agjërimi, si duhet të jetë në realitet, si duhet të kuptohet nëse dëshirojmë t'ia arrijmë qëllimit.


AGJERIMI SI FAKTOR MORAL


             Vetë agjërimi, sipas asaj se sa e kupton dhe e praktikon, ai që agjëron, mund të ndahet në tre lloje,  siç veproi Imam Gazaliu para mëse 850 viteve. Ai thotë: 


            "Dije se ka tre shkallë (lloje) të agjërimit:


            1. Agjërimi i njerëzve të rëndomtë,


            2. Agjërimi i njerëzve të veçantë, dhe 


            3. Agjërimi i njerëzve të jashtëzakonshëm.     


             1.- Agjërimi i njerëzve të rëndomtë paraqet abstenim nga ngrënia, pirja dhe nga marrëdhëniet seksuale (siç e sqaron këtë Fikhu).


            2.- Agjërimi i njerëzve të veçantë, domethënë ruajtja edhe e veshëve, syve, gjuhës, duarve, këmbëve dhe organeve tjera të trupit nga gjërat e ndaluara.  


            3.- Sa i përket agjërimit të njerëzve të jashtëzakon-shëm - ky është agjërim i zemrës (shpirtit) nga afshet e ulëta dhe mendimet e kësaj bote. Sipas këtij lloji, njeriu ushqehet (shijon) tek atëherë kur të mendojë diçka tjetër përveç Zotit dhe jetës në ahiret."[6]


Pra:


            Agjërimi i njerëzve të rëndomtë (savm ul umum), 


është agjërimi i atyre njerëzve, të cilët nuk shohin në agjërim asgjë pos abstenimit nga ngrënia, pirja dhe gjërave të tjera të cilat i theksuam më parë. Ky është agjërim fizik. Rrallë kush nga këta njerëz e kupton qëllimin e agjërimit. Andaj këta njerëz agjërimi i nervozon dhe i hidhëron, posaçërisht nëse janë duhanxhinjë, alkoolistë apo ngjashëm, dhe janë të gatshëm që për çdo imtësirë, të eksplodojnë, të hidhërohen dhe të zihen me shoqërinë.  


            Të tillët në shtëpinë e vet paraqesin vështirësi të vërtet. Edhe në një proverbë popullore për të tillët thuhet: "E ka kapur Ramazani". Këta njerëz tentojnë që tërë ditën ta kalojnë në gjumë, duke mos u kujdesur as për namazin që u kalon e as për çfarëdoqoftë tjetër që u kalon. Zgjohen madje një orë para iftarit, dalin në qytet nëse kanë të holla, blejnë çdo gjë që u bie në sy. E kur të vijë iftari, mirë ushqehen me ushqime të ndryshme për të cilat u kujdesën qysh para Ramazanit t'i kenë me bollëk, e mandej duke e lënë namazin shkojnë në kafene dhe e kalojnë kohën deri në syfir duke u argëtuar me lojra të ndryshme të bixhozit, letra, tablla dhe lojëra të tjera, duke i lëshuar edhe namazin e jacisë edhe atë të teravisë. Ata as që lodhen nga ajo se muaji i Ramazanit është muaji i ibadetit të shtuar, muaj i bamirësive dhe flijimeve të ndryshme për dobinë e të tjerëve, të ngratëve. Por, prapëseprapë edhe ky agjërim i tillë fizik, ka disa dobi, për të cilat do të flasim më poshtë. Ata me këtë agjërim, në realitet nuk e arrijnë qëllimin për çka është i përcaktuar agjërimi, prandaj edhe nuk e kanë dobinë e vërtetë që pritet prej agjërimit.  


            Për agjërimin e këtillë dhe njerëzit e këtillë (saimët) Muhammedi a.s. thotë:  


            "Shumica prej agjërimit të vet nuk kanë asgjë, pos urisë dhe etjes".


            AGJERIMI I NJEREZVE TE VECANTE


              C’është  agjërimi i atyre njerëzve (muslimanëve) të cilët e kuptojnë thelbin dhe qëllimin e agjërimit, që siç përmendëm përbëhet prej shmangieve nga të gjitha llojet e mëkateve të cilat njeriu mund t'i bëjë me cilindo organ të trupit, siç cek Imam Gazaliu në fragmentin e cituar. Ky agjërim, përpos nga agjërimi fizik përbëhet, pra edhe nga:  


            a) Ruajtja e veshëve- nga çdo gjë që e tërheq vëm-endjen e njeriut dhe që mund t'a devijojë nga rruga e drejtë Islame në rrugën e mëkateve. Me fjalë të tjera, gjithçka që është e ndaluar (haram) të flitet haram është edhe të dëgjohet. P.sh. të dëgjuarit e këngëve që e zgjojnë epshin, ose imagji-natën, që do të mund ta shpienin në mëkat, me fjalë të tjera, të bëjë diçka të palejuar, ose ta harrojë kryerjen e obligimeve të urdhëuara siç është namazi etj. Ose: kur dikush dikënd e mallkon, e përbuz ose e ngacmon, dhe kjo dëgjohet e nuk intervenohet me qëllim që ligësia të mposhtet qysh në fillim - është mëkat.


            Për këtë Kur'ani thotë:


            "Atëherë edhe jeni si ata"; ndërsa Muhammedi a.s. ka thënë:  


            "Ai i cili përbuzë dhe ai i cili dëgjon (por nuk inter-venon) janë shokë në mëkat."  


            Për këtë ekzistojnë edhe shumë shembuj të tjerë.


            b) Ruajtja e syve- nga gjithë ajo që është e ndaluar, që e largon njeriun nga përkujtimi i All-llahut xh.sh. dhe që e ndez epshin.


            Muhammedi a.s. thotë:   


            "Shikimi është shigjetë helmuese nga shigjetat e shejtanit. Cili e ruan shikimin prej frikës nga Zoti, Zoti do t'i japë iman, ëmbëlsirën e së cilit do ta ndjejë në zemrën e vet."


            Ose në hadithin e theksuar më parë:


            "Sytë bëjnë kurvëri me shikim, veshët me dëgjim, gjuha duke folur, duart me prekje, ndërsa këmbët me ecje".     


            c). Ruajtja e gjuhës- nga bisedat e kota dhe të pahijshme, e posaçërisht nga gënjeshtrat, përbuzjet dhe mall-kimet, nga bartja e fjalëve, zënkave dhe grindjeve që para-qesin mëkat posaçërisht të madh etj., që dashur  padashur njeriun e shpien në mëkat, pasojat e së cilit mund të jenë tragjike në këtë botë. Ruajtja e gjuhës nga këto të meta paraqet agjërimin e gjuhës. Këtë muslimani gjithmonë duhet ta ketë parasysh, e sidomos  gjatë agjërimit të Ramazanit, kur duhet më tepër se kurrë më parë ta angazhojë gjuhën me dhikër, lexim të Kur'anit dhe me këshilla të ndryshme të dobishme.


            Nëse dikush i posedon këto veti të këqija, të mallkojë, të gënjejë, t'ua cenojë nderin të tjerëve, famën apo diçka të ngjashme, jo veç agjërimi, por edhe ibadetet  e tjera nuk do ti ndihmojnë.


            Pra, me të gjitha përcaktimet e All-llahut,  (urdhërat dhe ndalimet) kërkohet që njeriu moralisht të rilindë dhe të fisnikërohet, e në instancë të fundit, nga njeriu të  bëjë një krijesë konstruktive të dobishme për shoqërinë, në kuptimin e fjalëve të Muhammedit a.s.:   


            "Njeri më i mirë është ai që është më i dobishëm për njerëzimin. Ai, te i cili ibadetet (namazi, agjërimi etj.) nuk e arrijnë këtë rezultat edukues, - pra ai nuk e arrin qëllimin, madje edhe sikur t'i kryejë rregullisht ato. Njeriu i tillë nuk është besimtar i përbetuar. Ai është veçse "mukalid" (imitu-es). Veprimet e tij gjatë kryerjes së obligimeve fetare janë mekanike, nga shprehia ose dyfytyrësia. 


            Kjo mund të konkludohet nga shumë ajete kur'anore, të cilat i cekëm edhe më parë. Këtë e dëshmon edhe hadithi ku Muhammedit a.s. i treguan për një grua: 


            "Ajo grua ç'do ditë agjëron, natën e kalon në ibadet (lutje), por është qëllimkeqe, ngase i shqetëson fqinjtë (me përbuzje, thashethemeve etj.). Për këtë grua Muhammedi a.s. tha:  


            -"Ajo s'ka asnjë mirësi. Ajo është banore e xhehen-nemit".


            ç) Ruajtja e duarve, këmbëve, stomakut dhe orga-neve seksuale.- Edhe duart dhe këmbët duhet t'i ruajmë nga gjërat e ndaluara, sikurse duhet edhe organet tjera të trupit  t'i ruajmë nga ato gjëra të shëmtuara dhe të dëmshme. Po ashtu edhe stomakun duhet ruajtur gjithmonë, e posaçërisht të ruhet nga teprimi gjatë muajit të Ramazanit(pas iftarit) madje edhe nga ushqimet e lejuara të mos flasim për ushqimet e ndaluara (haram).  


            Teprimi në ushqim dhe pije shpie kah tensioni i epsheve dhe lakmive trupore, të cilat e çojnë njeriun kah tejkalimi i kufinjëve, shkurorëzimet dhe prostituimi (kurvë-ria) si mëkate të rënda. Obligim i veçantë i musli-manëve është të ruajnë stomakun nga ushqimet e fituara në mënyrë të palejuar (haram): me mashtrim, dinakëri etj..    


            Për mposhtjen e mëkateve që i përkasin stomakut, shërben institucioni i agjërimit. Muhammedi a.s. agjërimin e cek si gjë (metodë) efikase për mposhtjen e lakmive trupore:  


            "Kush i frikësohet sprovimit nga rënia në prosti-tucion (kurvëri), e nuk ka mundësi të martohet, le të agjërojë, ngase agjërimi e ndalon këtë instikt".  


            Ose: 


            "Djalli sillet rreth trupit të njeriut sikur gjaku, andaj ngushtone hyrjen e tij me uri".  


            Qëllimi i agjërimit në aspektin fizik është dobësimi i forcave trupore, të cilat njeriun e shpien në mëkat dhe ligësi. Pra, është e nevojshme që uria dhe etja të ndjehen vërtet e jo që racioni i ditës të shndërrohet në atë të natës, gjë që zako-nisht e bëjnë njerëzit e rëndomtë për të cilët folëm më lart.   


            Njeriu, siç e dimë, përbëhet prej trupi dhe shpirti. Ndjekësit e trupit janë epshet dhe të metat e llojllojshme. Kënaqësitë trupore mundësojnë mbisundimin e trupit mbi shpirtin, gjegjësisht mbisundimin e trupit mbi vlerat shpirtërore-morale.    


            Qëllimi i agjërimit është që gjatë muajit Ramazan ta stimulojë njeriun në zhvillimin e vlerave shpirtërore, fisnike dhe në shtypjen e kërkesave dhe të epsheve trupore, që sa më tepër t'i afrohet shkallës së ëngjëjve, të cilët nuk kanë epsh, sepse kënaqësia dhe përmbushja e epsheve trupore e shpie njeriun kah rangimi i tij me shtazët.   


            Me dhënien hov të lakmive trupore, njëkohësisht u jepet hov edhe mëkateve të llojllojshme. Agjërimi pra ka për qëllim t'i mposhtë këto paraqitje dhe tendenca negative te njeriu, dhe t'i zhvillojë ato pozitive: veset e lavdëruara, të porositura ose të urdhëruara. Ja, ky është qëllimi kryesor i agjërimit. 


            Të gjitha veprimet e kundërta e prishin së paku aspektin moral. Andaj, Muhammedi a.s. ka thënë, e fjalët e tij janë ligj për çështjet fetare:


            "Pesë gjëra e prishin agjërimin: gënjeshtra, shpifja, përbuzja, betimi i rrejshëm dhe shikimet e flakta". 


            Ose:   


            "Kush nuk i lë mashtrimet, trillimet dhe veprimet e ngjashme, nuk ka asnjëfarë dobie nga ajo që ai shmanget nga ngrënia dhe pirja."


            Këto fjalë të Muhammedit a.s. qartë e tregojnë qëllimin dhe thelbin e agjërimit. Pra, njeriu edhe nëse agjëron, nuk ka asfarë dobie (shpërblimi) te All-llahu xh.sh. në qoftë se  edhe më tej mashtron, shpif, përbuzën  dhe është i gatshëm për zënka (grindje) dhe mëkate të tjera. Agjërimi pranohet vetëm si ibadet i sinqertë. Që agjërimi të jetë ibadet, kërkohet që agjëruesi të jetë i ngarkuar me mendime për Zotin, të ketë respekt ndaj Tij, të bëjë dhikër, bëmirësi dhe ibadete të tjera, të lexojë apo të dëgjojë Kur'an, të jetë i matur dhe t'i kryejë të gjitha  punët e lavdëruara. Madje ky agjërim mund t'i shërbejë njeriut si mburojë nga mëkatet dhe poshtërsitë, të cilat mund të rrjedhin prej tij kah të tjerët apo anasjelltas,dhe së fundit, si mburojë nga zjarri i xhehnemit.                    Muhammedi a.s. ka thënë:


            "Agjërimi është mburojë nga mëkatet, andaj, ai që agjëron le të mos flasë fjalë të pamatura (e posaçërisht nga fjalori seksual), le të mos jetë i vrazhdët në sjellje! Nëse dikush e provokon për zënkë ose grindje me sharje le t'ia kthejë me:  - Unë agjëroj, unë agjëroj!"


            “Shumica që agjërojnë e prishin agjërimin, e shumica që e prishin atë agjërojnë",- ka thënë një dijetar. Ai që vetëm duket se e prish agjërimin  e në realitet agjëron është ai që i ruan organet e trupit nga mëkatet (harami). E ai që sa për sy e faqe agjëron e në realitet e prishë atë, është ai që rri i uritur dhe i etur, ndërsa e lëshon trupin (organet) në haram.


            Pejgamberi i Zotit ka thënë:   


            "Agjërimi është amanet, andaj çdonjëri le ta ruajë amanetin". 


            Kur pejgamberi lexoi këtë ajet:


            "Zoti u urdhëron, t'ia dorëzoni atë që u është besuar (amanetin) atij që i takon ", e vuri dorën në vesh dhe në sy e tha: 


            "Të dëgjuarit është amanet dhe të është dhënë në besim, edhe të pamurit është amanet dhe të është dhënë në besim".  


            Sikur këto të mos ishin amanete, Muhammedi a.s. s'do të thoshte në hadithin e sipërpërmendur:


            "Thuaj: unë agjëroj".


            Me fjalë të tjera:


            "E kam amanet t'a ruaj gjuhën, andaj s'mundem sharjeve tua të vrazhdta t'u përgjigjem".  


            Agjërimi ashtu siç kërkohet nga parimet e cekura është ai agjërim i të mirëve, i muslimanëve të vërtetë, i atyre që e kuptojnë qëllimin dhe thelbin e tij, dhe atij i përmbahen.


        AGJERIMI I NJEREZVE TE JASHTEZAKONSHEM (SAVMU HUSUSIL-HUSUS)


              Ky lloj agjërimi është i të devotshmëve të rrallë dhe i pejgamberëve të All-llahut xh.sh. Sipas principit të këtij lloji të agjërimit, njeriu e prish agjërimin madje edhe sikur të mendojë në çka do qoftë që i përket kësaj bote, pra ai duhet të mendojë vetëm në Zotin, për obligimet fetare dhe për jetën e amshueshme. Ky pra është ai qëllim i fundit drejt të cilit të shpie agjërimi, si ibadet si dhe si faktor në edukimin moral të besimtarit.


AGJERIMI NE NDERTIMIN E VULLNETIT DHE KARAKTERIT


             Agjërimi sikur që e kemi theksuar edhe më parë, është legjitimacion i besimit të sinqertë në Zotin xh.sh.. Në realitet ka obligime fetare që kryhen më dozë më të vogël apo më të madhe të dyfytyrshmërisë, gjegjësisht me qëllim që të tregohen para të tjerëve motivacionet e ndryshme të kësaj bote. Agjërimi pra nuk është i tillë. Nëse njeriu nuk është besimtar i sinqertë, mund të hajë e të pijë kur të dojë pa e vërejtur askush. Ndërsa, besimtari i vërtetë agjëron nga besimi i sinqertë dhe i bindshëm në All-llahun xh.sh., ngase është urdhër i Zotit, i cili na udhëzon në fat të dyfishtë, andaj sakrifikimet që kërkon i duron pa asnjëfarë vështirësie. Të duruarit e këtyre flijimeve, pra, rrjedh nga vullneti dhe vendimi i fortë i besimtarit me qëllim që ta kënaqë vullnetin e All-llahut xh.sh..Nga kjo del se formimi dhe përforcimi i vullnetit tonë  është rezultat i besimit të sinqertë. Agjërimi, pra është një nga faktorët më të fortë të zhvillimit dhe të edukimit të vullnetit tonë. P.sh., shumë njerëz, posaçërisht konsumuesit e duhanit apo të alkoolit, nëse prej tyre kërkohet që jashtë Ramazanit të heqin dorë nga to të paktën për një kohë të shkurtër, nuk do të mundnin, dhe altruizmi i tillë do të ishte i papranueshëm. Mirëpo, gjatë Ramazanit, forca e vullnetit që del nga besimi i thellë dhe i sinqertë, bën që atë as të mos e ndiejnë. Shumica nën ndikimin e agjërimit bile krejtësisht lirohen nga këto lakmi të cilave u janë nënshtruar. Ose, na është e njohur se luftrat, vitet e thata ose fatkeqësitë elementare, shpesh rezultojnë me uri. Mirëpo, njerëzit që kanë agjëruar, do të mundin shumë më lehtë t'a durojnë atë vështirësi, në krahasim me ata të cilët asnjëherë nuk kanë agjëruar. Vullneti, pra, është faktor i jetës, kusht i suksesit në jetë. Përderisa dikush e ka vullnetin më të fortë, po aq më të sigurtë e ka edhe suksesin  në të gjitha fushat e veprimit.  


            Si definicion jetësor është edhe thënia:


            "Jeta është luftë". 


            »Gjatë këtij luftimi fiton ai, vullneti i të cilit është më i fortë. Ndërsa vullneti i dobët është mohim i jetës. Ja pra, sa është i rëndësishëm agjërimi si burim i vullnetit dhe i karakterit të fortë.«  


            Të gjitha parimet Islame, në rend të parë agjërimi i Ramazanit dhe namazi, e kanë për qëllim t'a ndërtojnë njeriun në kuptimin e plotë të fjalës, njeriun me karakter pozitiv (konstruktiv). Me fjalë të tjera, mëtojnë që nga njeriu musliman të ndërtojnë një qënie të përsosur me veti pozitive dhe fisnike, sikur: durimi, vetëmohimi, ngushëllimi, dasha-mirësia, etj., që posaçërisht vijnë në shprehje gjatë muajit të agjërimit (Ramazanit), e me qëllim të mposhtjes së vetive negative (ahlaki zemime).  Shkurt, ja ku qëndron rëndësia dhe roli  i agjërimit Islam në ndërtimin e vullnetit dhe të karakte-rit pozitiv te besimtari, muslimani.


         AGJERIMI SI FAKTOR SOCIAL


Eshtë thënë se:  "I ngopuri të uriturit nuk i beson", që dmth se të ngopurit, pra shtresat e pasura, mund t'i kuptojnë vështirësitë e të varfërve dhe të  uriturve vetëm atëherë kur ato ndjenja do t'i perjetojnë vetë. Muaji i Ramazanit, jo vetëm që e ndryshon kohën e racioneve dhe furnizimin e bollshëm dhe të kualitetshëm të atyre racioneve, por agjërimi ka ndikim të fortë në edukimin social. Agjërimi, po ashtu na mëson në vetmohim dhe në flijim, jo  vetëm ndaj vetes por edhe ndaj të tjerëve, njerëzve të ngratë. Madje edhe të mos ekzistonte një numër i madh i urdhërave social-altruiste agjërimi bën që muslimani në shpirtin e tij ta ndjejë imperativin e ndërgjegjies dhe ta ofrojë ndihmën e vet për ata që kanë nevojë. Kështu që te besimtarët e sinqertë, përmes kuptimit të drejtë dhe të praktikimit të agjërimit, zhvillohet ndjenja e ngushëllimit, e dashamirësisë dhe e vetmohimit në kuptimin e gjerë të fjalës. Zhduket egoizmi i rëndë i cili zëvendësohet me altruizëm të gjerë. Shumë imperativa socialo-altruistë të Islamit (Kur'ani dhe sunneti) këtë ndjenjë e përforcojnë dhe ndezin flakë gjatë këtyre ditëve të bekuara. Te muslimanët e tillë gjatë agjërimit të Ramazanit vjen deri te realizimi i këtyre urdhërave sociale. 


            Agjërimi i Ramazanit bën pra, që të pasurit t'a ndiejnë e ta shohin thellësinë dhe madhërinë e fjalëve të Kur'anit (Zotit), të cilat urdhërojnë që ndihma të realizohet me vepra.   Agjërimi i Ramazanit është rasti më i volitshëm kur muslimanët më së miri do t'i kuptojnë fjalët e Muhammedit a.s.: "Nuk është musliman i vërtetë ai i cili natën e kalon i ngopur ndërsa e di se fqiu i tijë e kalon i uritur".


            Islami përmes agjërimit dëshiron që t'i bindë musli-manët se zhvillimi i tyre, sidomos në aspektin ekonomik varet nga vetmohimi dhe altruizmi i çdo individi për mirëqënien dhe fatin e shoqërisë. 


            Nga këto shkaqe për Ramazanin janë të lidhura gati të gjithë veprat socialo-altruiste, siç janë zeqati, Sadekatul-fitri, dhe shumë lloje lëmoshash, etj., me qëllim që ajërimit si akt formal i besimit (ibadetit) t'i jepet  edhe shpirti që të arrihet qëllimi në përgjithësi.


            Andaj Muhammedi a.s. thotë:   


            "Agjërimi i Ramazanit rri pezull ndërmjet qiellit dhe tokës dhe s'do të arrijë në vendin e vet në qiell deri sa të jepet sadekatul-fitri."  


            Domethënien e shumëfishtë të agjërimit Islam, posaçërisht rolin edukues në aspektin social, e vërejtën edhe disa orientalistë evropiano-perëndimorë. Ashtuqë njëri thotë: "Institucioni i agjërimit, sikur që e kemi të njohur, përbëhet nga abstenimi në ngrënie, pirje, largim nga marrëdhëniet seksuale gjatë muajit Ramazan, e kjo është një shkollë disipline, mëshire e dashurie ndaj të afërmëve. Vërtetë, duke e shtërnguar besimtarin të abstenojë nga këto kënaqësi për një kohë të caktuar, e mëson që t'i frenojë epshet e veta. E shtrëngon ta ndjejë urinë dhe ta kuptojë se sa është e rëndë, institucioni i agjërimit shkakton ngushëllim ndaj të varfërve, duke e shtyrë që më mirë t'i vlerësojë mirësitë dhe dhuntitë e Zotit xh.sh., pra kjo e shton falenderimin ndaj Zotit.”[7]


AGJERIMI - FAKTOR SHENDETESOR


           Siç kemi cekur deri më tani, të shumëfishta janë qëllimet dhe dobitë e përcaktimeve Islame, ndaj edhe të agjërimit. Disa nga këto dobi qenë hetuar qysh në fillim, qysh kur u përcaktuan, e disa më vonë gjatë zhvillimit të shkencave, e s'do mend se dobi të tilla do të zbulohen edhe gjatë zhvillimit të mëtejmë të shkencave.


            Ashtu qëndron puna edhe me agjërimin Islam. Deri më sot janë theksuar dobitë e agjërimit vetëm si ibadet. Dhe del se roli dhe qëllimi i agjërimit me fjalë të tjera, është që nga njeriu i rëndomtë si më i afërm me kafshën, të krijojë njeri, krijesë morale dhe sociale, fuqi shpirtërore ngjashëm me engjëjt. Ky qëllim i agjërimit është theksuar më herët me citimin e ajetit: "LEALEKUM TETTEKUN" - që të bëheni të devotshëm. Përsosshmëria morale është qëllimi kah tenton institucioni i agjërimit. Mirëpo, përmes medicinës bashkë-kohore domethënia e agjërimit fillon të vertetohet dhe të arsyetohet edhe si faktor shëndetsor siç vertetohen shkencërisht edhe ibadetet tjera sepse  Islami (Kur'ani) thirret në shkencë. 


            Madje, Kur'ani na obligon në studimin e të gjitha lëmive shkencore: 


            "Ne u sollëm atyre (mekkasve) një libër (Kur'anin) që ua shkoqitëm në baza të diturisë, e që është udhërrëfyes e mëshirë për ata që besojnë." (El Arafë: 52)      


            Jo veçse me shkencë, por edhe përvoja vërteton se të mbushurit e tepërt të stomakut me pije dhe gjellëra të llojllojshme sjell deri te plogështia dhe lodhja e të gjitha organeve, sepse organi më me rëndësi në organizëm - stoma-ku, nuk është në gjendje t'i tresë. Stomaku i mbushur bëhet burim i shumë helmeve të rrezikshme për jetën tonë. E logjikshme është se mbushja  e pandërprerë e stomakut është një lloj atentati i stomakut, e me të edhe i organeve tjera të organizmit. Shtypja e gjakut - sëmundje e rëndë, për të cilën s'ka ilaç tjetër përpos urisë, arterioskeleroza etj., - sëmundje këto vdekjeprurëse, më së shpeshti rrjedhin nga mbushja e tepërt e stomakut me ushqime të forta, të yndyrshme. 


            Andaj, Muhammedi a.s. porosiste shpesh që ta ndërpresim ushqimin madje edhe atëherë kur do të na paraqitet oreksi më i madh.


            Ai ka thënë:  


            "Agjëroni, - do të jëni të shëndoshë!"   


            Ai gjithmonë porosiste të përmbahemi nga pijet dhe ushqimet e tepërta me qëllim që ta ruajmë elasticitetin dhe energjinë e organizmit dhe kthjelltësinë e jetës në frymën e fjalëve Kur'anore: 


            "O bijt e Ademit, vishuni bukur për çdo namaz, hani e mos e teproni, sepse Ai (All-llahu) nuk i do ata që e teprojnë."   (El A'rafë: 31) 


             Muhammedi a.s. jo vetëm që s'ishte mjek ose njeri i arsimuar, por thjesht ai ishte analfabet. Këto thënie të tij na tregojnë  në muxhizet e tij, muxhize këto të cilat shkenca veçsa ka filluar t'i vertetojë gjë të cilën detaisht do ta shohim më poshtë. Ai gjithashtu ka thënë: 


            "Enë më e ligë është stomaku i mbushur". 


            Të shumta janë dëmet nga pija dhe ushqimi i tepërt, e të shumta janë për shëndetin e njeriut edhe dobitë nga uria, thënë me fjalë të tjera, lehtësimi i stomakut me agjërim, pra me atë agjërim që i përket Islamit. A nuk është e saktë se pushimet javore dhe vjetore e freskojnë njeriun shpirtërisht dhe fizikisht dhe i japin forca të reja për punë të mëtejme? Kështu është edhe me agjërimin e Ramazanit, dmth, një pushim i përsosur i organizmit tonë edhe atë, jo vetëm i organeve tretëse, por edhe i veshkëve, mëlçive etj., i përtërinë, i pastron dhe i aftëson për punë të mëtejme. Le ta marrim si shembull makinën. S'ka asnjë makinë që mundet të punojë pandërprerë dhe pa gabim. Secilës makinë i nevojitet ta ndërpresë punën për një kohë të caktuar që të pastrohet dhe të lubrifikohet. Në të kundërtën do të hudhet në hekurishta të vjetra. Edhe organizmi ynë, nuk është gjë tjetër veçse një makinë e komplikuar të cilës i nevojitet një pushim siç është agjërimi Islam. Krijuesit të Gjithëdijshëm të organizmit tonë i qe e njohur se çka i nevoitet organizmit tonë, ndaj pos për qëllime tjera edhe për këtë e përcaktoi agjërimin.  Por, që ky agjërim të jetë i dobishëm për shëndetin tonë duhet të jetë i orientuar kah uria e jo kah ushqimet e forta dhe të pasura  gjatë iftarit dhe syfirit, sikur që praktikohet sot, e posaçërisht te të pasurit. Nga këto shkaqe është porositur që të agjërohet edhe jashtë Ramazanit sa më tepër ditë, posaçërisht ata njerëz të cilët tensioni i gjakut (energjia trupore) mund t'i shpie në mëkat. 


            Meqë këtu është fjala për agjërimin nga aspekti shëndetësor,  t'i cekim dobitë e agjërimit për sëndetin tonë të vertetuara në mënyrë shkencore-medicinale. Qysh grekët e vjetër, e posaçërisht mjekët arabë, vërtetuan se dieta është faktori kryesor në terapi për shërim gati të të gjitha sëmundjeve, prandaj kanë thënë: "Lukthi është burim sëmund-jesh, ndërsa dieta koka e çdo ilaçi."  Dieta edhe në terapitë e medicinës së sotme është hapi i parë.


RREZIQET NGA USHQIMET E RENDA DHE TE TEPERTA - URIA SI BAR


            Të shohim se çfarë qëndrimi ka medicina moderne për urinë dhe agjërimin. Sa i përket kësaj e konsideroj të dobishme t'i citoj disa fragmente nga ekspertë të njohur të medicinës të cilat janë hasur në shtyp. Gazeta "Dnevnik", kishte një artikull të gjerë nga Dr. B.P., me titull: "Ushqimi i pleqëve", ku përpos tjerash theksonte rrezikun nga ushqimet e yndyrshme dhe të rënda për pleqtë. "Masa aktive e muskujve zvogëlohet dhe plotësohet me ind të yndyrshëm. Puna e veshkëve zvogëlohet. Po ashtu ndryshime vërehen te enët e gjakut, ato bëhen të brishta ngase në to sedimentohet lloji special i yndyrës i quajtur polesterin". Dobësohet puna dhe ritmi i zemrës... Ky grumbullim i yndyrës shpejton shkaktimin e arterioskelerozës dhe sjell deri te sëmundja e vjetër angina pektoris, te rritja e tensionit të gjakut etj. Që të mos vijë deri te këto sëmundje te pleqtë, ushqimi duhet të jetë sa më i varfër me yndyrëra të botës shtazore. Nevojat yndyrore duhet të plotësohen me vajëra nga bimët që janë shumë pak ose aspak të rrezikshëm." 


            Ky dijetar më tej tërheq vërejtjen në largimin nga gjellërat shumë të kripura sepse kripa i ndihmon arterioskelerozës dhe sendimentimit të kripërave nëpër venë dhe arterie dhe shkaktohet rritja e tensionit të gjakut.


            "Sa i përket sheqerit duhet të reduktohet në përmasa sa më të vogla, sepse teprica e sheqerit në organizëm shndërrohet në yndyrë. Gjatë të ushqyerit duhet të kihet kujdes që të mos vie as deri te parangopja e as në tejngopje." Revista "RAD" në numrin 12 të 19 marsit 1960 nën titullin: "Uria e dobishme", shkruan:             "Sipas pohimit të një letrari amerikan Apton Sinklerit, njeriu pas eleminimit të shprehisë për ushqim të tepërt, ndjehet më i ri dhe më i fortë. Privimi i ushqimit e përforcon organizmin. Kjo ndoshta duket paradoksale, por këtë e vertetojnë ekspertët e medicinës. Shembulli i Vinston ?erçillit, i cili me elasticitet të plotë i priti të 80-tat, tregon se agjërimi është një ndër stimuluesit më të mirë të elasticitetit. Një burrështetas britanik me sukses i krijoi vetes një disiplinë në konsumim, pije, zbavitje dhe kënaqësi të tjera trupore. Ai, shpesh gjatë 24 orëve madje edhe gjatë 48 orëve nuk konsumonte asgjë, e kohë pas kohe i shmangej ushqimeve madje edhe nga një javë. 


            ?ërçilli, sikur edhe shumë të tjerë, zbuloi se të përmbajturit nga ushqimi është mënyra më e mirë që të arrihet koncentrim i plotë. Përkrahës i madh i agjërimit ishte edhe burrështetasi britanik Sir Staford Krips, ndërsa mjekët të cilët e shqyrtonin shëndetin e Gandit gjatë agjërimit të tij "grevë urie" në vitin 1933, vërtetuan se shëndeti i Mahatma Gandit deri në ditën e dhjetë vetëm përforcohej dhe përtërihej deri në atë masë sa që mundej të krahasohej me organizimin e një 40 vjeçari, ndërsa atëherë i kishte plot 64 vjet. Në Zvicër, Britani të Madhe, në Gjermani e Amerikë ekzistojnë shumë spitale ku shërimi bëhet ekskluzivisht me agjërim. Rëndom ai agjërim zgjat 21 ditë, e mandej sipas fjalëve të shkrimtarit Apton Sinkler, njeriu ndjehet më i fortë dhe më i ri për disa ditë. Higjenistët konsiderojnë se agjërimi është bar efikas i çlirimit të trupit (organizmit) nga helmet e ndryshme. Rëndimi, dhembja e barkut dhe lodhjet kronike janë pasojë e të ushqyerit të tepërt dhe iracional. Depresioni që i kaplon njerëzit, shpesh mund të jetë gjithashtu pasojë e plotësimit të trurit me toksinë nga ushqimi i tepërt. Agjërimi disa ditësh nuk e dobëson organizmin. Uria hetohet vetëm dy tre ditët e para e pastaj zhduket. Organizmi atëherë fillon t'i shfrytëzojë rezervat që në arsenalin e vet i ka të mjaftueshme. Mëlçia është e pasur me glikogjen, gjaku me proteinë, ndërsa rezervat e yndyrës te meshkujt arrijnë 30 %, kurse te femrat në 20 %. 


            Kur agjërojmë "e hamë vetveten", ndërsa organizmi pa rrezik për shëndetin, mund të gjejë rezerva në vete deri 20 ditë abstenim nga ushqimi. 


            Gjatë agjërimit nga fytyra zhduken njollat, puçërrat, të thatët dhe shtresat e tepërta të yndyrërave. Sistemi nervor dhe truri mbeten të paprekëshme, ndërsa përbërja e gjakut nuk ndryshon. 


            Ngadalësimi i ritmit jetësor gjatë agjërimit sjell dobi të pakompensueshme. Përderisa zemra rrah 70 herë në minut dhe rreth 100.000 herë në 24 orë, gjatë agjërimit zemra rrah rreth 60 herë në minutë gjegjësisht diçka më tepër se 80.000 herë në ditë, që do të thotë se kursen diçka më tepër se 10.000 rrahje të zemrës. Agjërimi gjithashtu ndikon dobishëm edhe për shqisat e të pamurit. Të pamurit kthjellohet dhe në bazë të hulumtimeve të ndryshme, pas agjërimit të pamurit përmirësohet për dy herë më mirë se më parë.


            Mbrojtësi i madh i agjërimit, mjeku amerikan Shellton, e porosit abstenimin 21 ditësh të ushqimit. Ekspertët evropianë konsiderojnë se agjërimi i plotë s'duhet të zgjasë më tepër se katër ditë[8], ndërsa disa janë të mendimit se lëngjet e frutave gjatë agjërimit nuk e zvogëlojnë vlerën e këtij tretmani". Në një artikull me titull: "Përforcimi i organizmit dhe shërimi me ndihmën e urisë", pos tjerash theksohet: 


            "Deri sa mjeku amerikan Dr. Shellton, përpos abste-nimit të plotë nga ushqimi për 21 ditë, ekspertët evropianë Dr. Birsheri dhe Beneri janë të mendimit se është më mirë më shpësh të agjërohet nga katër ditë dhe në ndërkohë të konsumohen lëngje frutash." Për organizmin dobia nga agjërimi është e shumëfishtë. Depresioni sipas mjekut gjerman  Dr. Martinit, në të shumtën e rastëve është pasojë e plotësimit të trurit me toksinë, ndërsa dietisti francez, Dr. Gelpi, konsideron se 4/5 e sëmundjeve i shkaktojnë fermentet e kuqe. Abstenimi për një kohë nga ushqimi  nuk sjell vetëm deri në ndërprerjen e helmimeve të organizmit, në eleminimin e substancave të dëmshme, por edhe në pushimin gjeneral e me të edhe në përforcimin e organizmit. Zvogëlohen përmasat e thartimeve në urinë, zhduken puçrrat, njollat, të thatët nga fytyra etj. Gjatë agjërimit pesha e muskujve, mëlçisë dhe shpënetkës, zvogëlohet përgjysmë derisa pesha e zemrës mbetet e paprekëshme. Përbërja e gjakut sipas hulumtimeve të Prof. Benediktit për 31 ditë aspak nuk ndërrohet. Dobia e agjërimit për pushimin e zemrës është shumë e madhe, pasi ajo vetëm gjatë një dite rrah rreth 14 mijë herë më pak. Gjatë agjërimit qelizat e sëmura të organizmit eleminohen, ndërsa të rejat zhvillohen më mirë. Së fundi agjërimi pozitivisht ndikon në funksionet intelektuale".  Konsideroj se nuk është e tepërt të citohet edhe një pjesë e artikullit të prof.dr. Teodor Lluka-qit, të shpallur në gazetën "Jeta dhe shëndeti" - Sarajevë, nënë titullin: "Agjërimi i plotë e vetmja masë e sigurtë kundër trashësisë", ku thotë:  "Agjërimi si metodë medicinale është e vjetër sa edhe vetë njerëzimi. Edhe te religjionet e vjetra e hasim agjërimin si ibadet të pëlqyer të Zotit, e që në realitet është dashur të theksohet disiplina e vetmohimit të ditëve dhe javëve të caktuara. Dhe, kësisoj, pa vetëdije i është kontri-buar shëndetit, ngase abstenimi nga yndyrërat në gjellë gjatë agjërimit, ishte i dobishëm për individët me peshë të rëndë dhe për pleqtë. Artikullshkruesi flet më tej se Gandi 15 herë është hedhur në grevë urie prej të cilave tre herë më gjatë se 21 ditë, duke mos konsumuar asgjë përveç ujit të ngrohtë dhe disa pika të lëngut të limonit. Por, prapëseprapë nuk perjetoi asnjë çrregullim në organizëm përpos që u dobësua. Mëtej theksohet: "Para 90 vjetëve në Evropë shpërtheu një valë e urisë së atëhershme "moderne" kur shumë mjek pohonin se me uri mund të shërohen  të gjitha sëmundjet prej kancerit deri te reuma. ?shtë realitet shkencor se pesha e madhe e organizmit u paraprin shumë çrregulli-meve në organizëm, e populli ynë aq bukur tha: "Të dobëtit - dobësohen, trashamanët udhëtojnë". Këtu nuk theksohet dieta ose zvogëlimi i racioneve ditorë, por uria e plotë. Mjekësia bashkëkohore  sot shërbehet me agjërimin e plotë si metodë e vetme suksesive për shërimin e sëmundjeve të ndryshme, e në rend të parë të peshës së tepërt trupore. Përmes hulumtimeve të hollësishme është vertetuar se nuk është e mundur të zvogëlohet pesha e trupit vetëm me dietë të thjeshtë, porse me uri të plotë e nën mbikëqyrjen e specialistëve nëpër spitale".  Gjatë zhvillimit të vet edhe sa fakte do t'i zbulojë shkenca dhe do t'i sqarojë e vertetojë madje jo vetëm këtë (agjërimin) porse edhe parimet dhe të vertetat e Islamit të madhërishëm (Kur'anit)?!  Urdhëri i Zotit dhe fjalët e Muhammedit a.s. për agjërimin: "Agjëroni, - do të jeni të shëndoshë"!, - a nuk janë edhe një muxhize e vertetuar dhe e dëshmuar shkenctarisht pas gati 14 shekujve?   Nga e gjithë kjo që u tha mund të shihet se agjërimi i Ramazanit është një mëshirë ë paskajshme e Zotit për ata që e pranojnë këtë mëshirë e cila do t'i shpie kah lumturia në këtë dhe në botën tjetër.


        RREGULLIMI I CESHTJES SOCIALE NE ISLAM
            Të gjitha parimet dhe rregullat Islame, në veçanti themelet praktike të obligimeve Islame, kanë karakter dhe tendencë social-shoqërore ose altruiste. Por, përpos kësaj ekziston një sistem i plotë social i parimeve praktike që së bashku me burimet fetare kualifikohen si ibadete - shërbim Zotit. Qëllimi i tyre është mirëqënia e plotë e shoqërisë Islame. Të gjitha këto parime Islame, pra këto të aspektit socialo-altruist ndahen në dy grupe. Grupin e parë e përbëjnë parimet  që juridikisht i rregullojnë obligimet sociale e me të cilat obligohen pjestarët e pasur të Islamit. Ndërsa grupi i dytë përbëhet prej parimeve që më tepër në aspektin moral i obligojnë muslimanët pa marrë parasysh gjendjen e tyre ekonomike. Në grupin e parë nënrenditen këto obligime: a.- kontributi i domosdoshëm - "zeqati";   b.- kontributi i domos-doshëm gjatë Ramazanit, sadakatul-fitri. c.- therja e kurbanit,  d.- "FIDJE".


Në grupin e dytë nënrenditen:


a.- dënimet për thyerjen e disa parimeve - "KEFA-RETET",


b.- lëmosha vullnetare - "SADAKA",  


c.- tesatamentet për qëllimet bëmirëse - "VAKFUN" - (vakëf).

  
This website was created for free with Own-Free-Website.com. Would you also like to have your own website?
Sign up for free